HRN dënon fushatën linçuese kundër YIHR KS dhe Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”

Rrjeti i të Drejtave të Njeriut (HRN) dënon fuqishëm sulmet dhe kërcënimet e fundit në internet të drejtuara ndaj Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) dhe Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”, pas organizimit të një sesioni informues publik mbi mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DSK).

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) janë një institucion i themeluar me Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Si të tilla, ato janë pjesë e kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës, dhe njohja me mandatin, strukturën dhe procedurat e tyre përbën një pjesë legjitime dhe të domosdoshme të edukimit qytetar dhe juridik.

Prej vitesh, YIHR KS ka organizuar aktivitete edukative dhe sesione informuese mbi të drejtat e njeriut, drejtësinë tranzicionale dhe institucionet e drejtësisë, përfshirë gjykatat, me qëllim nxitjen e debatit publik të informuar dhe të mendimit kritik. Informimi i nxënësve dhe qytetarëve mbi mandatin dhe kompetencat e DSK-së duhet të shihet si një përgjegjësi publike që institucionet vetë duhet ta mbështesin. Theksojmë se qytetarët kanë të drejtë të informohen mbi institucionet e drejtësisë të themeluara nga vetë shteti i tyre.

HRN dënon fuqishëm çdo formë linçimi, frikësimi, dezinformimi dhe sulmesh ndaj individëve dhe organizatave që angazhohen në edukim, dialog dhe punë për të drejtat e njeriut.

I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës të ndalojë menjëherë sulmet ndaj YIHR KS, të cilat përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes dhe lirisë së asociimit. Këto veprime përbëjnë kërcënim për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë.

Ne qëndrojmë në solidaritet me YIHR KS dhe Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” dhe riafirmojmë mbështetjen tonë për një diskurs publik të hapur, të informuar dhe të respektueshëm.

Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN):

Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS)

Qendra për Barazi dhe Liri – (CEL Kosova)

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Iniciativa e Re Sociale (NSI)

Share this post

Related Posts