Rrjeti për të Drejtat e Njeriut dënon kërcënimet ndaj Anita Nikajt dhe aktivisteve feministe

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut dënon ashpër fushatën denigruese dhe kërcënimet ndaj Anita Nikajt dhe aktivisteve të tjera feministe që protestojnë kundër femicidit. Përpjekjet për të diskredituar aktivizmin e tyre dhe për t’i paraqitur kërkesat për drejtësi si të motivuara politikisht cenojnë të drejtën e grave për të protestuar dhe rrezikojnë sigurinë e tyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, së bashku me Anita Nikajn, i kanë raportuar kërcënimet në Policinë e Kosovës. Këto kërcënime duhet të trajtohen me seriozitetin më të lartë. Kërcënimet me dhunë seksuale dhe vrasje, qoftë në internet apo jashtë tij, janë forma intimidimi që rrezikojnë sigurinë e grave dhe synojnë të heshtin pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.

I bëjmë thirrje prokurorisë që të nisë në mënyrë proaktive hetime penale sipas detyrës zyrtare për kërcënimet online ndaj aktivistëve dhe aktivisteve të shoqërisë civile, ndërsa Policisë së Kosovës që të identifikojë pa vonesë personat përgjegjës, të ruajë provat digjitale, të sigurojë llogaridhënie dhe të ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e personave të shënjestruar. U bëjmë thirrje zyrtarëve publikë dhe përfaqësuesve politikë që t’i dënojnë këto sulme. U bëjmë thirrje mediave, figurave publike dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të përmbahen nga shpërndarja e përmbajtjeve poshtëruese, t’i refuzojnë sulmet seksiste dhe të mbajnë përgjegjësi për gjuhën që përdorin.

Qëndrojmë në solidaritet të plotë me aktivistet e shënjestruara dhe me të gjitha gratë që përballen me dhunë sepse refuzojnë të heshtin. Kërkesa e tyre për një jetë të sigurt dhe me dinjitet na përket të gjithëve.

Anëtarët e Human Rights Network:

Nisma e te Rinjve për te Drejtat e Njeriut Kosovo (YIHR KS)

Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova)

Instituti i Kosoves per Drejtesi (IKD)

Qendra Kosovare per Studime Gjinore (QKSG)

Zeri i Romeve, Ashkalive dhe Egjiptianeve (VORAE)

Iniciativa e Re Sociale (NSI)

Shoqata e Paraplegjikeve dhe Paralizes së Femijeve te Kosovës (HANDIKOS)

Share this post

Related Posts