Si organizata anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN), jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga vendimi i fundit i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), për pezullimin e certifikatës së biznesit të Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” SHPK, pjesë e së cilës është edhe televizioni publik Klan Kosova.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar më 14 qershor 2023 se ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Kosovës, Departamentin e Krimeve të Rënda, kundër Klan Kosovës dhe përgjegjësve të tjerë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve mbi dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, detyrë, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Rrjeti i të Drejtave të Njeriut (HRN) e konsideron ktë vendim si shkelje të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes dhe medias. Republika e Kosovës është një shtet demokratik me një Kushtetutë që garanton të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshirë atë të lirisë së shprehjes dhe të shtypit të lirë. Pezullimi i licencës së Klan Kosovës pa proces të rregullt ligjor dhe bazuar në dyshime të pabazuara ligjërisht, krijon një precedent të rrezikshëm antidemokratik dhe shtyp të drejtat themelore siç është liria e shprehjes.
Vendimi nga MINT ngjan me një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe për të kufizuar lirinë e fjalës. Prandaj, ne jemi shumë të shqetësuar për mesazhin që përcjell jo vetëm për Klan Kosova por për çdo media tjetër në Kosovë. Mediat e lira dhe të pavarura duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë etike dhe profesionale. Asnjë vendim qeverie nuk ka kompetencë apo autoritet ligjor për të ndërhyrë në këtë proces thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Rrjeti i të Drejtave të Njeriut mbështet fuqishëm lirinë e medias dhe të shprehjes, dhe solidarizohet me të gjitha institucionet mediatike dhe gazetarët/et që kryejnë një punë të pakrahasueshme në baza ditore duke i ushtruar këto liri.
Një shoqëri demokratike kërkon funksionimin e plotë të ligjit dhe rendit dhe ne vlerësojmë çdo përpjekje për këtë. Por, pezullimi i punës së një media nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është antikushtetues dhe cenon të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike në Kosovë. Ne nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë krijimin e precedentëve të tillë frikësues dhe kërcënues në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të anulojë menjëherë vendimin e MINT dhe të marrë masa të menjëhershme ndaj ministres Rozeta Hajdari për këto veprime të papranueshme ndaj vlerave themelore demokratike.
Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN):
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)
Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS
Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Iniciativa e Re Sociale (NSI)
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)