Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN) dënojnë ashpër gjuhën fyese dhe të pa përshtatshme të përdorur në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Komunës së Rahovecit nga Kryetari z. Smajl Latifi.
Përgjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal të Rahovecit të mbajtur me datë 30 gusht 2023, Kryetari Latifi në fjalimin e tij përshëndet martirët e disa vendeve dhe komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, mirëpo gjatë fjalimit i njejti përdor gjuhë fyese ndaj komunitetit rom në Kosovë.
“Rrespekt për martirët nga … dhe komuniteti egjiptian posaçërisht dhe ashkali, se te komuniteti rom ata pak ma shumë janë pak ma ndryshe, bile ka prej tyre që janë kanë, janë martirë të forcave Serbe…”, ishin fjalët e Kryetarit Smajli të cilat mund ti gjeni në këtë link nga minuta 36:15.
Përdorimi i një diskursi të tillë, e aq më tëpër në institucionin më të lartë komunal, është shqetësues dhe i pa pranueshëm. Gjuha e tillë nxitë përçarje, urrejtje ndër-etnike e pasiguri për komunitetin rom në qytetin e Rahovecit dhe në gjithë Kosovën.
HRN u bën thirrje të gjithë akterëve shtetëror që të përmbahen nga komentet fyese dhe denigruese dhe të punojnë drejt ndërtimit të harmonisë ndër-etnike, respektimit të dinjitetit të të gjithë qytetarëve, si dhe të angazhohen drejt krijimit të një ambienti gjithëpërfshirës në të gjitha institucionet dhe në shoqëri në përgjithësi. Njëkohësisht organizatat e shoqërisë civile ftojnë z. Latifi që menjëherë të kërkoj falje publike për gjuhën e përdorur në Kuvendin Komunal.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS)
Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS
Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)
Iniciativa e Re Sociale (NSI)
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE)