Deklaratë Publike

Përmes kësaj deklarate publike, ne, organizatat pjesë e Human Rights Network që merremi me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Nisma e Re Sociale (NSI), Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE) dhe HANDIKOS reagojmë ashpër për mënyren se si po diskutohet për Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.
Diskutimet për Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor që kundërshtojnë të drejtat dhe liritë themelore të grave për riprodhim janë të rrezikshme dhe cenojnë të drejtën që gratë të vendosin për trupat e tyre.
Reagimet diskriminuese, raciste, seksiste dhe paragjykuese janë rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së informatave themelore mbi të drejtat kushtetuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo çështje është e rregulluar me Konventën për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas (CEDAW), e cila është pjesë e Kushtetutës sonë përmes nenit 22 të saj. Neni 12 i CEDAW e njeh të drejtën e grave për ta rregulluar dhe kontrolluar jetën riprodhuese dhe domosdoshmërinë e sigurimit të qasjes në shërbimet shëndetësore, përfshirë edhe planifikimin familjar dhe teknologjitë riprodhuese si IVF.
CEDAW kërkon nga shtetet që t’ua sigurojnë grave të drejtat e barabarta me ato të burrave për përzgjedhjen e bashkëshortit, martesën vetëm me vullnet të lirë e pajtueshmëri të plotë, si dhe vendimmarrjen për lindjen e fëmijëve.
Këto nene janë shumë të rëndësishme për ndërlidhjen e fuqizimit të grave dhe barazisë gjinore me IVF-in, sepse në mënyrë decidive e njohin autonominë e grave për marrjen e vendimeve mbi jetën riprodhuese – përfshirë edhe përzgjedhjen e IVF-it për të lindur fëmijë.
Qëndrimet e deputetëve si Eman Rrahmani, Duda Balje, Albena Reshitaj, dhe Visar Korenica janë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, duke qenë se sulmojnë parimet e barazisë gjinore dhe mos-diskriminimit, të cilat janë vlera themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, duke e ditur ndikimin që një deputet/e ka, një qëndrim i tillë mund të përshkallëzohet në dhunë ndaj grave.
Andaj, i ftojmë deputetët/et e Parlamentit të Kosovës që të distancohen dhe ta dënojnë këtë gjuhë seksiste, raciste dhe diskriminuese. Ndërsa kërkojmë nga mediat që të mos mbushin hapësira mediale me përmbajtje të tilla seksiste, raciste dhe diskriminuese të cilat nxisin dhunë.

Share this post

Related Posts